logo1Ndalohet publikimi apo përdorimi i materialeve autentike të BOXALB pa u përmendur burimi (boxalb.com).
Në rast të kundërt do te denoncohet subjekti i cili shkel të drejtën e autorit.
Visoka rikthehet në ringun e Prishtinës
Nga Boxalb    E Hene, 02 Maj 2011 20:25   

Visokaxh-v

Xhavit Visoka do të zhvillojë duelin e tij të dhjetë në ringun profesionist më 7 maj në “Sallën e Kuqe” të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.  Përballë tij do të jetë maqedonasi Mile Jovanovski për të cilin kjo do të jetë përballja e parë në ringun profesionist.

“Nuk kam shumë njohuri për kundërshtarin, por kjo nuk është problem për mua pasi asnjëherë deri më tani gjatë karrierës sime nuk kam studiuar kundërshtarët, por thjesht jam futur në ring me synimin për t’i nokautuar.  Kështu do të jetë edhe kësaj here”, ka thënë Visoka për “boxalb.com”.

Për ish-kampionin e shumëfishtë të Kosovës në boksin amator, kjo do të jetë një mundësi për t’u rikthyer në rrugën e fitoreve pas humbjes së pësuar muajin e kaluar në Szekszard të Hungarisë përballë vendasit Gabor Halasz. Ndeshja ishte e vlefshme për titullin “UBO Intercontinental” për peshën “kruizer”.

“Ajo përballje shkoi ashtu si shkoi. Sikur  të kisha marrë ftesën për atë duel vetëm disa ditë më herët, me siguri se në Kosovë do të isha kthyer me atë titull. Gjithsesi me kampin e Halasz jemi diskutuar për zhvillimin e një revanshi. Edhe dueli i 7 majit po zhvillohet në kuadër të përgatitjeve  për revanshin me boksierin hungarez”, ka shtuar Visoka.

Për Visokën ky do të jetë një rikthim  pas më shumë se një viti në ringun e kryeqytetit të kosovës, aty ku së fundmi kishte mposhtur sllovakun Frantisek Pastor me “nokaut” në rundin e parë në shkurt të vitit ta kaluar.

Përveç duelit të mbrëmjes Visoka - Jovanovski, në program për mbrëmjen e 7 majit në ringun e "Sallës së Kuqe" janë paraparë që të zhvillohen edhe tre duele në boksin amator si dhe dy përballje në kikboks. Ndërkohë për të pranishmit do të shfaqet edhe një program muzikor me pjesëmarrjen e disa emrave të njohur të estradës kosovare.

 

Shkruaj koment

Boxalb.com ofron hapësirë për debat sportiv e civil. Mos hezitoni të shkruani opinionin tuaj. Komentet që përmbajnë sharje dhe ofendime ndaj kujtdo qofshin do të fshihen nga administratorët!