| Kovacs: "Visoka si Rambo" | |
|
|
Mediat sllovake i kanë dhënë një rëndësi të madhe përballjes ndërmjet Tamas Kovacs dhe boksierit kosovar Xhavit Visoka, të cilin e njohin me nofkën "Mr Knockout".
Visoka nuk është një i panjohur për publikun sllovak, pasi tre nga gjashtë përballjet e tij si profesionist ai i ka zhvilluar pikërisht në Sllovaki. Përballja e vlefshme për titullin evropian në versionin PBU për peshën gjysmë të rëndë po përcillet me jehonë të madhe në mediat sllovake.
Edhe vetë Tamas Kovacs ka thënë disa fjalë për kundërshtarin e tij të radhës, duke treguar respekt ndaj tij. "I kam parë xhirimet e dueleve të tij. është tmerrësisht agresiv, një goditës i fuqishëm. Vërtetë një Rambo i lindur", ka thënë Kovacs për të përditshmen sllovake "Dnes". "Do ta ndëshkoj me shpejtësinë dhe teknikën time. Nuk do t'i përshtatem stilit të tij të boksimit", ka shtuar ai duke shpjeguar më pas për fazën përgatitore për këtë përballje. Duke qenë boksieri më i mirë i të gjitha kohërave të Sllovakisë, Tamas Kovacs është duke pretenduar që pas përballjes me Visokën, në rast fitoreje të boksojë për titullin "WBC Intercontinental" në peshën gjysmë të rëndë, që është vetëm një hap larg titullit botëror. Gjithsesi për të arritur këtë duhet më parë të mposhtë Xhavit Visokën, dhe një gjë e tillë nuk është aspak e lehtë për t'u realizuar. Të paktën kjo është ajo që shkruajnë mediat sllovake që e cilësojnë Visokën si një boksier të nivelit të lartë, teksa nuk harrojnë të përmendin edhe karrierën e jashtëzakonshme amatore të "Mr Knockout". |





