| Nuri Seferi është kampion europian | |
|
|
“Tajsoni Shqiptar” ka mposhtur me pikë gjeorgjianin Sandro Siproshvili për të fituar titullin evropian të versionit WBO, një brez mjaft i rëndësishëm në ringun profesionist. Rundat e para Seferi më shumë ka studiuar kundërshtarin duke mos dashur që të bëjë ndonjë gabim që do ta ndëshkonte. Kjo ka bërë që Siproshvili të jetë më aktiv në rundat e parë, megjithëse shumica e goditjeve të tij përfundonin në dorezat e Nuriut. Ai më pas ka ndërruar marshin dhe ka marrë kontrollin e duelit pas rundit të pestë duke realizuar në masë të madhe goditje të pastërta mbi kundërshtarin, i cili nga ana e tij nuk është dorëzuar, por pavarësisht se ka tentuar që të jetë aktiv, nuk ka arritur që të realizojë goditje të pastra. “Ky ka qenë koncepti që kam pasur për këtë ndeshje që nga fillimi, pasi e dija që kundërshtari ka një mjekërr të fortë dhe ishte e vështirë ta rrëzoja. Kam qenë i përgatitur për 12 runda dhe gjithçka ka shkuar siç e kisha planifikuar”, ka thënë Seferi pas ndeshjes ekskluzivisht për “boxalb.com”. Përgjatë gjithë duelit të dy boksierët kanë bërë boks të vërtetë dhe nuk ka pasur pothuajse aspak ndërprerje nga ana e gjyqtarit në ring. Rundi i 12-të dhe i fundit i përballjes ka qenë i baraspeshuar ku të dy boksierët kanë dhënë më shumë sesa maksimumin nga vetja. Pas përfundimit gjyqtarët me vendim unanim i kanë dhënë fitoren Seferit i cili me këtë ka bërë të vetin brezin europian në një prej versioneve të rëndësishme të ringut profesionist. Me këtë Nuri Seferi është bërë shqiptari i tretë kampion europian në ringun profesionist, pas Luan Krasniqit që kishte fituar titullin europian EBU (pjesë e WBC) si dhe Shpend Abazit që më parë ka qenë pronar i brezit europian EBA (pjesë e WBA). |





Mbrëmja e së shtunës me 26 qershor do të shënohet si një ditë historike për familjen Seferi, por pse jo edhe për të gjithë sportdashësit shqiptarë. Kur festimet sapo kishin filluar në “Calafatti Halle Prater” të Vjenës për fitoren e Sefer Seferit, ka ardhur edhe fitorja e Nuriut.