| Tefik Bajrami edhe në boksin profesionist | |
|
|
Pasi ka provuar arenën e karatesë, ringun e taiboksit amator e profesionist si dhe atë të boksit amator, Tefik “Hurricane” Bajrami do të sfidojë veten edhe në ringun e boksit profesionist.
Luftëtari shqiptar i disa disciplinave luftarake tashmë ka filluar procedurat për pajisje me licencën e boksierit profesionist. “Jam duke pritur licencën për boksin profesionist dhe pasi kjo procedurë të përfundojë mendoj që të bëj edhe debutimin tim në kategorinë e rëndë të boksit profesionist”, ka thënë Tefik Bajrami në një bisedë ekskluzive për “boxalb.com”. Data se kur do të zhvillojë duelin e tij të parë në ring nuk është saktësuar akoma, por para kësaj ai do t’i rikthehet edhe një herë ringut në disciplinën e taiboksit pas një pauze gati trevjeçare. “Më 8 maj do të zhvilloj duelin e radhës në taiboks në një prej parameçeve të mbrëmjes kur vëllau im Xhaviti do të luftojë për titullin e kampionit të botës në kikboks. Pas kësaj mendoj që më shumë do t’i përkushtohem karrierës në boksin profesionist, megjithëse nuk do të lë anash as taiboksin”, ka shtuar Tefik Bajrami. Karriera e Tefik Bajramit ka filluar me sportin e karatesë. Ai është shpallur kampion i Zvicrës në këtë sport në vitin 1998, ndërsa dy vite më vonë ka arritur deri në finale të Kampionatit Evropian. Më pas ka filluar karriera në taiboks duke arritur që të fitojë titullin e kampionit të botës në këtë sport, në konkurrencën amatore në vitin 2004. Më pas në vitin 2005 si profesionist në taiboks është shpallur kampion i Zvicrës si dhe ka fituar disa turne në këtësport para se të kalojë në ringun e boksit amator. Në vitin 2006 është shpallur kampion i Zvicrës në kategorinë super të rëndë në boksin amator pasi kishte zhvilluar vetëm 4 duele në këtë sport. Edhe një vit më pas arrin në finale në kampionatin zviceran ku do të ndeshej me shqiptarin tjetër Arnold Gjergjaj. Ishte pikërisht ky duel ku Bajrami pëson dëmtimin në dorë si pasojë e një rrëzimi aksidental dhe kjo do ta linte për një kohë të gjatë jashtë ringut. “Pavarësisht dëmtimit isha duke e fituar edhe këtë ndeshje, por mu hoqën dy herë nga tre pikë nga ana e gjyqtarit për shkak se e ulja kokën poshtë. Këtë e kisha problem pasi në taiboks profesionist ky veprim është i lejuar dhe isha mësuar me këtë”, tregon Bajrami. |







Komentet