| Xhavit Visoka i gatshëm për rikthim | |
|
|
Pasi ka qëndruar për 16 muaj në paraburgim në Koshicë të Sllovakisë, më në fund ai është shpallur i pafajshëm nga gjykata sllovake e këtij qyteti për një krim të cilin mohonte ta ketë kryer që në momentin e parë kur ishte arrestuar. “Disa njerëz që i kisha afër më bën që të humbas këta 16 muaj të jetës sime. Gjithsesi jam shumë i lumtur që më në fund drejtësia doli në shesh dhe unë fitova pafajësinë”, ka thënë Visoka për “boxalb.com” “Dua të falenderoj para së gjithash Feriz Mazrekun nga Malisheva, një biznesmen shqiptar nga Kosova që punon në Sllovaki dhe djalin e tij Shpendin që më qëndruan afër gjatë gjithë kësaj kohe dhe që më ndihmuan jashtë mase në ditët më të vështira të jetës sime. Gjithashtu edhe avokatin tim Millosh Kvasnovski”, ka shtuar ai. Visoka dëshiron që të harrojë këtë episod të jetës së tij dhe sheh përpara për të realizuar synimin që i kishte vënë vetes që në kohën kur kishte filluar boksin, të fitojë një titull kampioni në boksin profesionist.
“Të gjithë adhuruesve dhe të afërmëve të mi u pata bërë në premtim të tillë në duelin tim debutues si profesionist në Prishtinë në vitin 2006. Vazhdoj të qëndroj pas atyre fjalëve dhe patjetër do t’i mbaj. Ndoshta këto peripeci që kalova do ta vonojnë realizimin e këtij objektivi, pasi unë kisha planifikuar që tashmë të kisha në duart e mia brezin e kampionit. Por gjithsesi unë nuk dorëzohem kurrë pa arritur qëllimin”, ka thënë Visoka. Duelin e radhës pritet që ta zhvillojë që më 19 gusht të këtij viti në Shturovo të Sllovakisë. Cili do të jetë kundërshtari akoma nuk është vendosur por kjo për Visokën nuk ka rëndësi. “Do të jetë një duel përgatitor për mua në mënyrë që të jem sa më shpejtë i gatshëm për sfidat e mëdha. Tifozëve të mi në Kosovë u premtoj një befasi por se cila do të jetë ajo do ta them vetë kur të kthehem atje”. Xhavit Visoka ka një bilanc prej 4 fitoresh dhe 1 humbje në ringun profesionist, ndërsa para debutimit si profesionist ka qenë gjashtë herë kampion i Kosovës për peshën gjysmë të rëndë në boksin amator. Karriera e penguar nga fati i keqXhavit Visoka është padyshim një nga boksierët më të mirë të gjeneratës së tij në Kosovë. E kishte filluar karrierën si boksier që në moshë të re në Kosovë për të emigruar drejt Gjermanisë në vitet e 90-ta. Atje dëshmohet si një boksier i talentar duke qenë pjesë e klubit të boksit amator BC Esslingen, një klub me renome në boksin amator gjerman ku kishte filluar karrierën edhe ish-kampioni evropian Luan Krasniqi. Gjatë qëndrimit në Gjermani ai zhvillon 63 duele si amator prej të cilave realizon 59 fitore dhe pëson vetëm 3 humbje e një barazim. Pas përfundimit të luftës në Kosovë ai rikthehet në vendlindje dhe aktivizohet me klubin e Prishtinës. Si amator arrin të fitojë gjashtë herë titullin e kampionit të Kosovës në kategorinë gjysmë të rëndë, si dhe trumfon në disa turne ndërkombëtar brenda dhe jashtë vendit duke e shndërruar veten kështu në njërin prej boksierëve më të suksesshëm kosovar të dekadës së fundit. Fatkeqësia e izolimit të boksit dhe sportit kosovar bëri që Visoka të mund të kalojë në ringun profesionist vetëm në vitin 2006. Më pas vazhdon karrierën në ringun profesionst në Sllovaki dhe pikërisht kur po bëhej gati për një ndër duelet më të rëndësishme të karrierës së tij vjen edhe fatkeqësia tjetër. Derisa po zhvillote fazën përgatitore së bashku me kroatin Stjepan Bozic (mbajtës i brezit WBA Inter-Continental për peshën super të mesme) vjen edhe arrestimi që e ndau atë nga ringu për gati dy vite. |





Jeta dhe karriera e tij tashmë janë të denja për një skenar filmi të “Holywoodit”. Boksieri i njohur kosovar Xhavit Visoka vetëm pak ditë pasi ka dalë nga burgu ka filluar stërvitjet për të zhvilluar duelin e tij të radhës në ringun profesionist.