logo1Ndalohet publikimi apo përdorimi i materialeve autentike të BOXALB pa u përmendur burimi (boxalb.com).
Në rast të kundërt do te denoncohet subjekti i cili shkel të drejtën e autorit.
Brenda kampit të De La Hoya

Javën e kaluar 10 herë kampioni i botës (në 6 kategori të ndryshme) dhe një prej emrave më të mëdhenj të ringut profesionist të ditëve të sotme, Oscar de la Hoya, ka zhvilluar një seancë stërvitore të hapur për media në kampin e tij në Kaliforni ku po zhvillon përgatitjet për duelin e tij të 6 dhjetorit kundër numrit një të botës, Manny Pacquiao.

Përballja do të zhvillohet në «MGM Grand Garden Arena» në Las Vegas dhe kjo përballje do të transmetohet drejtpërsëdrejti nga paketa sportive "Super Sport".
"Do të jetë një duel eksploziv", thotë Golden Boy. "Nëse Manny dëshiron luftën nga afër, unë jam i gatshëm. Unë e  dua këtë mënyrë boksimi. Gjendja ime kondicionale është shumë e mirë. Nuk kam pasur ide sesa shumë kam mundur që të përmirësohem. Kam mësuar që të godas nga kënde të ndryshme. Kam mësuar që të përdor më shpesh 'jab'-in”.

De La Hoya dukej më i lehtë në peshë se zakonisht. Kishin kaluar gjashtë vite prejse ai ka zhvilluar së fundmi përgatitjet në Kaliforni prejse ishte shpërngulur në Puerto Rico. Tani ai ka një peshë prej 65 kilogramësh, gjë të cilën shumë kritikë nuk besonin se do ta arrinte.

Oscar është më i gjatë (179 cm) se kundërshtari i tij i radhës, dhe ka boksuar gjatë karrierës së tij edhe me një peshë prej 72 kilogramësh. Pacquiao (i gjatë 169 cm) e ka filluar karrierën në vitin 1995 në kategorinë e 48 kilogramëve dhe pesha më e lartë që është ngjitur ndonjëherë ka qenë ajo e 60 kilogramëve.
“Kemi punuar shumë për të arritur këto rezultate dhe tashmë pesha nuk është një problem ka” thënë trajneri i De La Hoyas, Ignacio "Nacho" Beristain.

Beristain është trajneri i gjashtë në karrierën e De La Hoya në karrierën si profesionist, por ai nuk është vetëm. Angelo Dundee, njeriu që e keni parë në qoshen Muhammad Ali në shumicën e ndeshjeve të tij, tashmë në moshën 87-vjeçare qëndron në kampin e De La Hoyas si një këshilltar. Përballja e Oscar De La Hoya dhe Manny Pacquiao pritet të jetë dueli më i rëndësishëm i këtij fundviti. Pacquiao është katër herë kampion botëror dhe aktualisht konsiderohet si boksieri më i mirë "pound for pound" (që ka boksuar në disa kategori) i botës. Përballja mes tyre është quajtur "Dream Match" (Dueli i ënddrave) i kategorisë velter dhe pritet me një interesim të jashtëzakonshëm.

Mendohet që kjo të jetë përballja e fundit e legjendës meksikano-amerikane, gjithmonë në rast se Floyd Mayweather nuk vendos që të kthehet nga pensioni për një tjetër përballje gjigandësh me Golden Boy.

 

Shkruaj koment

Boxalb.com ofron hapësirë për debat sportiv e civil. Mos hezitoni të shkruani opinionin tuaj. Komentet që përmbajnë sharje dhe ofendime ndaj kujtdo qofshin do të fshihen nga administratorët!