| Fillojnë "llafet" për një Lewis-Klitschko II | |
|
Don King ka ofruar para të mëdha për realizimin e këtij dueli dhe kjo ka bërë që rikthimi i tashmë veteranit Lewis të përflitet akoma më shumë. 43-vjeçari Lewis është njëri ndër boksierët më të mirë të kategorisë së rëndë i të gjtha kohërave dhe ka mposhtur këdo që i ka dalë përpara gjatë karrierës së tij. ”E dimë se Lennox ka filluar stërvitjet dhe tashmë ka filluar bisedat me HBO”, ka thënë menaxheri i Klitschkos, Bernd Boete. “Nëse Lennox kthehet atëherë ekziston mundësia për një duel tjetër me Vitalin. Ai ka bërë pjesën e tij duke u rikthyer me sukses dhe tani mbetet te Lennox”. Deri më tani Lewis ka mohuar mundësinë e rikthimit të tij në ring dhe nuk ka shfaqur ndonjë dëshirë për të rikthyer titujt në versionet WBC, WBA dhe IBF. Në duelin e vitit 2003 Klitschko ishte duke udhëhequr me pikë para se të pësonte një çarje në arkadën e syrit dhe me këtë dueli u mbyll duke iu dhënë fitorja boksierit britanik. ”Mezi do ta prisja këtë ndeshje”, ka thënë Klitschko për tabloidin gjerman “Bild”. Edhe trajneri i tij Emanuel Steward ka thënë se oferta për një duel të tillë do të shkonte në 180 deri në 200 milionë dollarë, dhe përveç kësaj “është një duel që e gjithë bota dëshiron ta shohë”. Pasi ka mposhtur Samuel Peter, Klitschko do të mbrojë brezin e tij kundër kubanezit Juan Carlo Gomez. Bashkë me vëllaun e tij më të ri, Wladimirin, që mban aktualisht brezat e kampionit në versionet IBF dhe WBO, vëllezërit Klitschko kanë shfaqur ambicien që të bëjnë të vetët që të katër titujt e mëdhenj botëror. |





Të gjithë e dinë se Lennox Lewis stërvitet herëpashere në palestër dhe nuk është asgjë e jashtëzakonshme për një ish-kampion bote që të mbajë veten ne formë. Por Vitali Klitschko që është rikthyer në ring dëshiron që të përballet edhe një herë me britanikun dhe tashmë thashethemet për një duel të mundshëm kanë marrë dhenë.