logo1Ndalohet publikimi apo përdorimi i materialeve autentike të BOXALB pa u përmendur burimi (boxalb.com).
Në rast të kundërt do te denoncohet subjekti i cili shkel të drejtën e autorit.
“Bisha” fiton por nuk bind

Kampioni i botës në kategorinë e rëndë në versionin WBA, gjigandi rus Nikolay Valuev (50-1, 34 KO) ka mbrojtur brezin e “përkohshëm” duke shënuar fitore me vendim jounanim dhe mjaft kontravers të gjyqtarëve përballë legjendarit ish-kampon bote Evander Holyfield (42-10-2, 27 KO).
Rezultati pas 12 rundash ka qenë 114-114, 115-114, 116-112 në të mirë të rusit, ka lënë të pakënaqur 12.500 shikuesit e pranishëm në “Hallenstadion” në Cyrih të Zvicrës, të cilët kanë duartrokitur për një kohë të gjatë amerikanin Holyfield ndërsa kanë vërshëllyer me të madhe Valuevin.

Që të dy boksierët e kanë filluar ndeshjen me kujdes, megjithatë “The Real Deal” ka mundur që të qëllojë dy herë kundërshtarin me të majtën e tij ndërkohë largohej me vallëzim nga goditjet e ngadalta të Valuevit. E njejta gjë përsëritet edhe në dy rundat pasardhëse kur kampioni dukej shumë i ngadalshëm, ndërsa sfiduesi dukej më aktiv. Në rundin e katërt Valuev fillon të godasë dhe në një rast qëllon me “uppercut” kundërshtarin. Gjithashtu ai filloi të përdorë më shumë goditjen “jab” dhe të djathtën.

Valuev kontrolloi rundet 7 dhe 8 ndaj legjendës Holyfield, ndërsa ky i fundit shton agrisivitetin e lëvizjet e tij në rundin e dhjetë. Rundi i fundit i duelit u shfaq si mbarë meçi, Holyfield vallëzonte në ring dhe godiste ndonjëherë kundërshtarin ndërsa Valuev mundohej me goditje të ngadalta që të bënte dëm, por pa shumë sukses.

Në fund gjyqtarët i japin fitoren gjigandit rus duke lënë të pakënaqur shumicën absolute të publiku të pranishëm që e kishte vlerësuar ndryshe duelin.
“Unë mendova se kisha bërë mjaftueshëm për të fituar këtë duel, por gjyqtarët nuk menduan kështu”, ka thënë Holyfield pas duelit.
Për Nikolay Valuev kjo ishte fitorja e 50-të në ringun profesionist, ndërsa për 46-vjeçarin Evander Holyfield ky sipas të gjitha gjasave ishte shansi i fundit për të fituar titullin botëror, titull të cilin e kishte fituar katër herë më parë, një gjë që nuk e ka bërë askush tjetër përveç tij.

21.12.2008

 

Shkruaj koment

Boxalb.com ofron hapësirë për debat sportiv e civil. Mos hezitoni të shkruani opinionin tuaj. Komentet që përmbajnë sharje dhe ofendime ndaj kujtdo qofshin do të fshihen nga administratorët!