| Vitali Klitschko, KO ndaj Sosnowski | |
|
|
Kampioni i botës në versionin WBC për peshat e rëndë Vitali Klitschko ka shënuar një fitore me KO ndaj polakut Albert Sosnowski të shtunën në mbrëmje pëpara mëse 50 mijë shikuesve të pranishëm në stadiumin “Veltins Arena” të Gelsenkirchenit në Gjermani. I cilësuar si favorit i padiskutueshëm në këtë ndeshje, Klitschko megjithatë është dashur që të mundohet më shumë se që është parashikuar për të mposhtur sfidantin polak.
Klitschko e mbante larg Sosnowskin në rundin e parë. Edhe në të dytin ishte ukrainasi ai që kontrollonte situatën. Sosnowski arrin që të realizojë disa goditje në rundin e tretë. I katërti ishte një tjetër rund i dominuar nga Klitschko që gjithnjë punonte më shumë. Ukrainasi filloi që të hapet në rundin e pestë duke ndëshkuar boksierin polak. Një tjetër rund i Klitschkos ishte ai i gjashti, por Sosnowski vazhdonte të mbante veten në lojë. Në të shtatin vazhdon dominimi i Klitschkos por Sosnowski arrin që t’i revanshohet me goditje në disa raste. Është polaku që lëshon një goditje të mirë me të djathtën në rundin e tetë. Klitschko realizon më të mirën në rundin e nëntë, duke realizuar goditje të shumta të forta, ndërsa në të dhjetin shkon për goditjen përfundimtare duke rrëzuar kundërshtarin në këndin e ringut. Gjyqtari Jay Nady menjëherë bëri me shenjë për ndërprerjen e duelit për të mos lejuar ndëshkimin e mëtejmë të Sosnowski që kishte sytë e enjtur nga goditjet e pësuara. Kjo ishte mbrojtja e katërt e titullit të kampionit për Vitali Klitschkon. Tani ai kërkon që në sfidën e radhës të ndeshet me pronarin e titullit botëror në versionin WBA, David Haye. Për një duel me anglezin kampion bote është edhe vëllau i ri i Vitalit dhe njëherit kampion bote në versionet IBF dhe WBO, Vladimiri. Një tjetër alternativë për ndeshjen e radhës të Vitali Klitschko është edhe gjigandi rus Nikolai Valuev. |





