| Vladimir Klitschko vazhdon dominimin | |
|
|
Kampioni i botës për peshat e rënda në versionet IBF/WBO/IBO, Vladimir Klitschko (54-3, 48 KOs) ka shënuar një fitore me një “knock out” spektakolar në rundin e 12-të ndaj amerikanit Eddie Chambers (35-2, 18 KOs) në një përballje të zhvilluar të shtunën në mbrëmje në prani të 51 mijë spektatorëve në “Esprit Arena” të Dyseldorfit në Gjermani.
Klitschko ishte dominues që nga fillimi i duelit. Pas kësaj Chambers realizoi disa goditje në stomak në rundin e dytë, për të vazhduar dueli me dominimin e ukrainasit me goditje me të djathtën. Në përgjithësi goditjet e shkëmbyera mes dy boksierëve nuk ishin të shumta. Klitschko më në fund e gjeti formulën e “knock outit” vetem disa sekonda para se të mbyllej përballja. Para kësaj trajneri i tij Emanuel Steëard e kishte kritikuar kampionin se nuk kishte qenë më agresiv. “Nuk na duhet edhe një fitore kot me vendim të gjyqtarëve”, ishin fjalët e tij. Vladimiri i dha fund ndeshjes me një të majtë brutale që e bëri Chambers që të rrëzohet me fytyrë në dysheme dhe për disa sekonda nuk arriti të ngrihet fare. Gjyqtari Geno Rodriquez nuk filloi të numëronte fare teksa amerikani dukej pa ndjenja.
|






