logo1Ndalohet publikimi apo përdorimi i materialeve autentike të BOXALB pa u përmendur burimi (boxalb.com).
Në rast të kundërt do te denoncohet subjekti i cili shkel të drejtën e autorit.
“Super Six” fillon me spektakël
Nga Boxalb    E Diele, 18 Tetor 2009 19:28   

supersix_v

Turneu “Super Six World Boxing Classic” ka bërë një start të jashtëzakonshëm në Evropë në duelet e zhvilluara të shtunën në mbrëmje. Në “Trent FM Arena” të Nottinghamit në Angli, vendasi Carl “The Cobra” Froch ka mbrojtur titullin e WBC për peshën super të mesme kundër amerikanit Andre “The Matrix” Dirrell.

Ndërkohë në Berlin, në të famshmen “O2 World Arena”, “King” Arthur Abraham i ka shpërblyer tifozët e tij me një “knockout” spektakolar në rundin e fundit përballë Jermain “Bad Intentions” Taylor.

Turneu në fjalë mbledh gjashtë boksierët më të mirë botëror të kategorisë së mesme dhe super të mesme (kampionë në versione të ndryshme) për të nxjerrë kampionin e padiskutueshëm të peshave të mesme.

Ndeshja tjetër e xhiros së parë të “Super Six World Boxing Classic” do të zhvillohet më 21 nëntor kur kampioni i botës në versionin WBA, Mikkel Kessler do të ndeshet me Andre Ward.

Froch vs Direll

Froch (26-0, 20 KOs) vazhdon të mbetet i pamposhtur në një palestër të mbushur përlot me tifozë të tij kur i ka shkaktuar amerikanit Dirrell (19-0, 13 KOs) humbjen e parë në ringun profesionist. Në një duel të fortë, Froch ka qenë i ndihmuar kur gjyqtari Hector Afu i ka hequr një pikë rivalit të tij për shkak të kapjes së kundërshtarit në rundin e dhjetë.

Dirrell dhe Froch kanë vazhduar të shkëmbejnë goditje edhe në rundat 11 dhe 12, duke arritur që t’i japin goditje njëri tjetrit, por pa u dëmtuar shumë asnjëri.

Gjyqtarët pas 12 rundave kanë dhënë vendimin e tyre të ndarë në të mirë të Froch. Dy nga gjyqtarët e kishin vlerësuar duelin 115-112 për Froch, ndërsa i treti 114-113 për Direll.

“Definitivisht e ndjej se kam fituar nga rundi i parë deri në të fundit”, ka thënë Froch pas duelit.

Abraham vs Taylor

Në Berlin, Abraham ishte duke udhëhequr tek të gjithë gjyqtarët kur ka nisur rundi i 12-të. Ai e mbylli natën e Taylorit me një të djathtë të fuqishme për ta rrëzuar në dysheme. Taylor nuk tentoi fare që të ngrihej në këmbë përsëri edhe pse kishin mbetur vetëm edhe gjashtë sekonda deri në përfundim të duelit.

“Gjatë gjithë ndeshjes u mundova që të gjej ‘knockoutin’. Po prisja mundësinë dhe më në fund ajo erdhi”, ka thënë Abraham. “Ishte një ndeshje e madhe, një ‘knockout’ i madh. Taylor është një boksier i mirë, por unë jam më i mirë”, ka shtuar ai.

Taylor u përpoq shumë gjatë gjithë duelit por pa arritur asnjëherë që të kërcënonte Abrahamin.

“Jam pak i lënduar, por kjo ndodh. Isha në formën më të mirë timen. Ai është një boksier i mirë. Duhet ta pranoj këtë”, ka thënë Taylor pas duelit.

Pas kësaj fitoreje Abraham mbetet i pamposhtur me 31 fitore, 25 prej të cilave me ‘knockout’ në xhiron e dytë të turneut do të ndeshet me Andre Direll, kurse Taylor do të boksojë kundër Andre Ward.

 

Shkruaj koment

Boxalb.com ofron hapësirë për debat sportiv e civil. Mos hezitoni të shkruani opinionin tuaj. Komentet që përmbajnë sharje dhe ofendime ndaj kujtdo qofshin do të fshihen nga administratorët!