|
Chambers tani do Wladimir Klitschkon
|
|
Nga Boxalb
E Merkure, 08 Korrik 2009 14:53 |
|
|
Ndryshe nga fitorja e tij ndaj ish-kampionit të botës në versionin WBC, Samuel Peter, për të cilën kritikët thoshin se ai nuk ishte agresiv sa duhet, Eddie Chambers ka arritur që të rikthejë optimizmin e amerikanëve me fitoren e shënuar të shtunën e kaluar në Gjermani ndaj Alexander Dimitrenko. Chambers e kërkonte në mes të ringut ukrainasin dhe ishte agresiv që në rundin e parë përballë deri atëherë të pamposhturit Dimitrenko. Madje arriti që edhe ta hedhë në dysheme një herë.
"Ishin tre raste si në rundin e dymbëdhjetë kur isha gati ta rrëzoj, por ai mundohej të kapej dhe të mbijetojë", ka thënë Chambers për "Fightnews.com". Chambers thotë se e dinte që nga rundat e para që do të ishte fituesi, por gjithsesi nuk ishte gjithçka e qartë me rastin e shpalljes së fituesit.
"Në fakt nuk e di çfarë tha prezantuesi, por i dëgjova publikun që po fishkëllente dhe shpresoja që nuk kisha humbur në letrën e atij gjyqtari. Ma mori mendja që kishte vlerësuar barazim por unë nuk e kuptoja. Kur dëgjova publikun të fishkëllente e dija se diçka po ndodhte. Isha i shqetësuar deri në leximin e vlerësimit të gjyqtarit të fundit, madje edhe pasi përmenden emrin tim nuk isha i kënaqur plotësisht pasi nuk po dija çfarë po ndodhte. Sapo më ngritën dorën atëherë isha në rregull".
Fitorja e shënuar ka bërë që Chambers tani të jetë kundërshtari zyrtar për kampionin e WBO, Wladimir Klitschko. Por ukrainasi së pari do të ndeshet me sfidantin e titullit IBF, rusin Alexander Povetkin.
"Tani do të shohim çfarë do të bëhet me Wladimirin dhe do të vendosim", ka thënë promoteri i Chambers, Dan Goossen. "Sigurisht se nuk do të lëmë Eddien që të presë Klitschkon, por do të bëjmë hapin e duhur deri në atë kohë".
Goossen është në një pozitë të mirë derisa është promoter i dy boksierëve më të mirë amerikanë të kategorisë së rëndë, Chambers dhe Chris Arreola, por ai nuk mund të thotë se cili është më i mirë.
"Për mua Eddie e tregoi veten. Për Arreolan është e drejtë të thuhet se është amerikani më i mirë, por mua më pëlqen kur njerëzit zgjedhin më të mirin dhe shkojnë më tej. Unë mendoj se të dy boksierët do të thoshin harrojeni kush është amerikani më i mirë i kategorisë së rëndë, pasi ata të dy besojnë se janë më të mirët në botë në kategorinë e rëndë. Këtu nuk ka asgjë të keqe. Jam i kënaqur që jam pjesë e të dyve dhe mund t'ju ndihmoj që ëndrrat e tyre të bëhen realitet. Ata eventualisht do të boksojnë ndaj njëri tjetrit për të mësuar kush është më i miri në botë. Por kjo do të ndodhë pasi të mposhtin Klitschkot!". |