Redo: "18 prilli, për ndihmë jetimëve"
Nga Boxalb   

INTERVISTË EKSKLUZIVE
Mbrëmja gala e boksit profesionst „Kosova Fight Night“ është para së gjithash meritë e promoterit shqiptar Shpëtim Redo. Duke qenë një sipërmarrës i suksesshëm në Austri ai ka sakrifikuar kohën e tij për të bërë gjithçka që organizimi i mbrëmjes së 18 prillit në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve të shkojë si është më së miri. 
Ka disa ditë që ai është në Prishtinë duke u marrë me punët rreth organizimit të mbrëmjes dhe “boxalb.com” shfrytëzoi mundësinë për të realizuar një intervistë me të.

18 prilli po afron, si po shkojnë punët rreth organizimit të këtij mega-spektakli?

Redo: Së pari ju falenderoj për punën e lavdërueshme që bëni  ju për promovimin e boksiereve shqiptarë kudo që janë nëpër botë. Siç ju kam informuar edhe më përpara  Federata e Boksit Profesionist të Austrisë në bashkëpunim me Federatën e Boksit Amator të Kosovës dhe klubin e boksit “Peja” kanë vendosur që me datën 18 prill , në Prishtinë, të organizojnë një eveniment boksi me përmasa ndërkombëtare, ku meçi kryesor është në mes të Elvir Muriqit dhe Oleksander Garaschenko.

Qëllimet e organizimit të këtij evenimenti janë mundësimi i përballjes së boksierëve shqiptarë me ata të huaj në Kosovën e pavarur. Pastaj binjakëzimi i Federatës Kosovare të Boksit me atë Austriake, që është hapi i parë për të mundësuar njohjen ndërkombëtare të Federatës së Boksit të Kosovës.

Dhe qëllimi i fundit por jo më pak i rëndësishmi është ai humanitar pasi të gjitha fondet e mbledhura nga ky eveniment do ti dhurohen jetimores “SOS Kinderdorf” në Prishtinë. 

"Kosova Fight Night" është padyshim eventi më i madh i boksit profesionist i organizuar ndonjëherë në trojet shqiptare. Si ia arritët që të bindni disa nga boksierët më të suksesshëm shqiptarë të ringut profesionist për të qenë në Prishtinë?

Redo: Duke u bazuar në qëllimet e lartëpërmenduara, të them të vërtetën nuk e kam patur edhe shumë të vështirë për të bindur boksierët shqiptarë që të boksojnë në Kosoven e pavarur. Sigurisht që nuk mund ta them këtë për kundërshtarët e tyre.

Negociatat me Garashchenkon kanë qenë të gjata por jam shumë i lumtur që u mbyllën me sukses. Ndërsa për kundërshtaret e tjerë kam patur një përkrahje të madhe nga Federata e Boksit Profesionist të Austrise e personalisht të presidentit të kësaj federate, zotit Wilibald Palatin.

Mbrëmja përveç tjerash ka edhe karakter humanitar, mund të na thoni diçka më shumë për këtë?

Redo: Jam takuar me drejtoreshen e “SOS Kinderdorf“ në Prishtinë, zonjën Nezihat Salihi, dhe ia kam sqaruar se përse dua që ta mbaj këtë event në Prishtinë. E ka pritur shumë mirë idenë dhe për mua që shumë prekës që në mes të tjerrash me tha: “Shpetim, çfarë do që të mblidhen mbi 100 Euro për ne është një ndihmë e madhe”.

Dëshiroj që publiku vendas, me pjesëmarjen e tyre në sallë, të jenë të vetëdijshëm që po  përkrahin jo vetëm boksierët tanë moralisht por edhe jetimët e Kosovës financiarisht.

Organizimi i kësaj mbrëmjeje sigurisht që ka një kosto të madhe. Ju ka ndihmuar dikush në këtë drejtim?

Redo: Kam patur nje takim  informal me Ministrin e Rinisë Kulturës e Sporteve të Kosoves, zotin Valton Beqiri në Vjenë. Më ka premtuar që përkrahja e ministrisë që ai drejton nuk do të më mungojë.Një ndihmë tepër të madhe më ka ofruar e po më ofron vazhdimisht zoti Ramush Haradinaj. Ka qenë tepër motivues e inkurajues për mua fakti që zoti Haradinaj vazhdimisht po e ndjek nga afër ecurinë e këtij evenimenti sportiv-humanitar. Ndihma e tij është si në aspektin organizues dhe në atë të gjetjes së sponzorëve të mundshëm për këtë organizim.

Një pjesë të konsiderueshme të kostove që po na nevojiten për këtë eveniment janë mbuluar me sponzorë të ndryshëm. Salla, kostot e udhëtimit për 40 persona nga vende të nrdryshme të botës, hoteli dhe ushqimi për 3 ditë në Prishtine për 40 persona, kostot e shtypjes së pllakatave që do të shpërndahen nëpër Prishtine, kostot e ”security”.
Jam në kërkim të sponzorëve që do të mbulojnë honoraret e boksiereve të huaj pasi, boksieret shqiptare nuk kanë kërkuar honorar për këtë eveniment.

Ndonjë të veçantë në programin e mbrëmjes që do ta zbulonit për lexuesit tanë?

Redo: Surprizat nuk tregohen, se pastaj nuk jane më surpriza.

Cili është parashikimi juaj për duelet e 18 prillit, flasim për aspektin sportiv?

Redo: Boksierët shqiptarë e kanë marrë me shumë seriozitet këtë eveniment. Emocionet janë të shumta duke patur parasysh vendin dhe rrethanat që do të zhvillohet ky eveniment. Nuk dua të bëj ndonjë profeci pasi nuk e kam në natyrë që të parashikoj gjërat, por për një gjë jam i sigurte që “ Kosova Fight Night” është një mundësi e shkëlqyer që po u jepet boksiereve të rinj  si Shpëtim Shala, Sefer Seferi, Besnik Limani, për të investuar në karierën e tyre sportive. Elvir Muriqi e ka arritur  një diçka të tillë por për të është një ndeshje vendimtare pasi ndeshja e parë me Garashchenkon ka përfunduar në disfavor të tij.

Edhe një herë ju falenderoj për ndihmën që po i  jepni boksiereve e boksit Shqiptar kudo në Botë.

13.04.2009