|
INTERVISTË EKSKLUZIVE ME BOKSIERIN - SHPËTIM SHALA Boksieri pejan Shpëtim Shala është para duelit të tij më të rëndësishëm të karrierës. Në mbrëmjen e 18 prillit ai do të tentojë që të bëjë të vetin brezin e kampionit internacional të Austrisë në kategorinë gjysmë të rëndë përballë kroatit Josip Jalusic. Në intervistën ekskluzive për "boxalb.com" ai ka shpjeguar gjithçka, duke filluar nga përgatitjet, kundërshtarin, strategjinë, debutimin në Kosovë dhe gjithçka që po ndodh disa ditë para duelit që do të zhvillohet në "Pallatin e Rinisë dhe Sporteve" në Prishtinë.
Do të zhvilloni ndeshjen më të rëndësishme të karrierës suaj deri më tani më 18 prill, si ndjehet Shpëtimi para kësaj sfide?
Shala: Jam i vetëdijshëm se kjo është sfida më e vështirë në karrierën time të deritanishme, dhe kjo është një gjë që më pëlqen. Gjithmonë kam dëshirë të ballafaqohem me sfida. Kjo sfidë bëhet edhe më e rëndësishme për karrierën time kur e di se do të boksoj në vendlindjen time. Unë ndjehem shumë mirë dhe kjo më shtyn që të stërvitem me një përkushtim sa më të madh, sepse kurrsesi nuk dua ta zhgënjej publikun tim në Kosovë.
Si kanë shkuar përgatitjet për këtë duel?
Shala: Stërvitjet kanë shkuar si është më së miri. Ka më shumë se 6 javë intenzive që po përgatitem për këtë duel. Jam stërvitur së bashku me shokun tim Elvir Muriqin dhe kjo ka bërë që unë të jem në top formë. I falenderohem shumë Elvirit për përkrahjen në stërvitje, gjithashtu falenderoj boksierin Adnan Salihu i cili ka ardhur nga Suedija për të na ndihmuar në stërvitje.
Kundërshtari juaj është një boksier me përvojë të gjatë në ringun profesionist, çfarë dini për të dhe mënyrën e tij të boksitmit?
Shala: Jam goxha i informuar sa i përket kundërshtarit tim. E di se është një boksier me përvojë të gjatë. Në boksin amator ka qenë 3 herë kampion i Kroacisë dhe në boksin profesionist është ballafaquar me boksierët më të mirë në botë. Kam marrë kritika nga persona të ndryshëm që mendojnë se akoma është herët të ballafaqohem me një boksier të kalibrit të tillë, mirëpo unë dëshiroj t'ia dhuroj publikut kosovar një "show" dhe me qëllim është bërë përzgjedhja e këtij kundërshtari të fortë. Unë mendoj se jam i gatshëm të ballafaqohem me Jalusicin dhe ta fitoj brezin e parë në boksin profesionist.
Padyshim se për një kundërshtar si Jalusic nevojiten analiza për një strategji sa më të mirë. Si janë koordinuar këto, kush janë ndihmësit, dhe sa jeni i përgatitur në këtë pikë të rëndësishme?
Shala: Strategjinë për ndeshjen po e përgadisim sëbashku me trajnerin tim Ahmet Shalën. Kam marrë shumë sygjerime edhe nga Elvir Muriqi, gjithashtu jam informuar shumë nga ana e Nuri Seferit, i cili është ndeshur kunder Jalusicit. Këtyre të fundit u jam shumë mirënjohës për këshillat që i kam marrë në vazhdimësi.
Debutimi juaj si profesionist në Kosovë si ju bën të ndiheni?
Shala: Debutimi im si profesionist në Kosove më bën të ndihem për mrekulli. është shumë interesante sepse pas stërvitjeve takohem me shoqërinë time më të mirë që e kam dhe kjo më bën të ndihem mirë. Data e 18 prillit është në kokën time më shumë se që 5 muaj dhe tani jam në prag të kësaj ndeshjejë të madhe për mua. Kjo më bën të ndihem si një zotëri në shtëpinë e vet.
Diçka për fund?
Shala: Për fund dua ta falenderoj njeriun që është organizator i kësaj mbrëmjeje, menaxherin tim z.Shpetim Redo, i cili po më bën një dhuratë kaq të mirë. Gjithashtu e falenderoj menaxherin tim në Kosovë, z. Nexhmedin Zeka. I ftoj adhuruesit e boksit që më 18 prill të na përkrahin në mënyrë të zjarrtë.
10.04.2009
|