Muriqi: "Unë një ditë kampion bote"
Nga Boxalb    E Merkure, 24 Qershor 2009 15:11   

INTERVISTË EKSKLUZIVE ME BOKSIERIN - ELVIR MURIQI
Kur kanë mbetur edhe disa ditë para zhvillimit të mbrëmjes gala të boksit profesionist "Kosova Fight Night" që do të zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë më 18 prill, boksieri pejan Elvir Muriqi ka folur në një intervistë ekskluzive për "boxalb.com" për përgatitjet, kundërshtarin dhe për planet e tij pas duelit të revanshit me Oleksandr Garashchenko.

Jemi disa ditë para 18 prillit, si kanë shkuar përgatitjet për duelin?

E.Muriqi: Po, ka vetëm edhe nëntë ditë deri tek meçi i radhës. Përgaditjet për këtë duel kanë shkuar mirë.
Të përgatitesh në vendlindje është një gjë që më ka bërë të ndjehem shumë mirë.
Dua t'i falenderoj sparing-partnerët Adnan Salihin, Shpëtim Shalën dhe Jeton Plakajn për ndihmën.
Gjithashtu dua të falenderoj edhe tranerin e klubit të Pejës, Ahmet Shala për ndihmën e tij.


A mund të thuhet se Elviri do të jetë në 100 % e formës së tij më 18 prill?

Muriqi: Po të them të drejtën unë kam qenë i përgatitur për duelin që kam pasur në Angli dhe e kam mbajt veten në formë që nga ajo kohë, ndërkohë që kam bërë shumë sparing.
Jam përgatitur shumë mirë për këtë meç dhe do të bëj një "show" të mirë.


Oleksandr Garashchenko është një kundërshtar i njohur për ju (na thoni diçka për të)?

E.Muriqi: Oleksandr është i njohur për mua dhe besoj se edhe ai vetë e di që unë jam një tjetër ligë për të.
Mund të them që është një kundërshtar luftëtar dhe mjaft i qëndrueshëm dhe besoj se do të jetë një duel i mirë.
Edhe mua më erdhi rasti që të hakmerrem për padrejtësinë që më është bërë me 30 prill 2005. Jam shumë i kënaqur për këtë rast.


Sigurisht se keni "hesape të pashlyera" me të. Një parashikim për epilogun e duelit tuaj?

E.Muriqi: Do të jetë një duel i fortë dhe eksploziv. Do të jetë meç shum aktiv. Ai është një boksier i qëndrueshëm dhe që vjen gjithmonë përpara dhe kjo do të bëjë që meçi të jetë i mirë.
Por unë mendoj që jam më i mirë dhe këtë do ta shihni edhe vetë në mbrëmjen e 18 prillit.

Ktheheni në Kosovë për një duel pas gati 5 vitesh, çfare është ndjenja të boksosh në vendlindje?

E.Muriqi: Kthimi i im pas 5 viteve në vendlindje është një ndjenjë e mirë për mua edhe për çdo shqiptar që e ndien veten të tillë. Kur është puna që t'i ndihmoj në çfarëdo mënyre Kosovës për mua është një kënaqësi e veçantë.
Meçi është humanitar dhe të ardhurat e biletave do t'i dedikohen jetimëve të Kosovës dhe jam shumë i lumtur që kam mundësinë që të bëj një ndryshim të vogël në jetën e dikujt.
Gjithashtu jam shumë krenar që të boksoj në vendlindjen time dhe besoj se ata që dotë vijnë për të shikuar meçin do të ndahen të kënaqur. 


Cilat janë planet e Elvirit pas përballjes së 18 prillit?

E.Muriqi: Planet e mia për të ardhmen janë që të fitoj disa meçe në vazhdim.
Unë e di që jam ndër 5 më të mirët e kategorisë sime dhe shumë shpejt pas disa fitoreve do të më jepet rasti që të boksoj për titullin e botës dhe nëse do zoti dhe nuk më bëhet ndonjë e padrejtë do të përmbush premtimin që e kam bërë shumë kohë më parë. Ma merr mendja që do t'ia arrij qëllimit. Një ditë do të jem kampion bote.
Përshëndes gjithë adhuruesit e mi.

08.04.2009