| Qato: "Nuk do zhgënjej askënd" | |
|
|
Pas një karriere 7-vjeçare ne ringun profesionist evropian, tani jeni para debutimit në ringun prestigjioz amerikan. Si ndihet Kreshniku para kësaj? Qato: Karriera ime si boksier profesionist i ka pasur hapat e para ne ringun anglez, aty ku nuk më ka munguar kurrë përkrahja e komunitetit të bashkuar shqiptar. Katër prej ndeshjeve të mia i kam zhvilluar në Shqipëri me salla të tejmbushura dhe brohoritje të zjarrta, e tani po i drejtohem ringut amerikan dhe shpresoj që edhe atje të mos më mungojë mbeshtetja e tifozëve shqiptarë si dhe e flamujve kuq e zi që janë valëvitur gjatë të gjithë kohës në ndeshjet e mia. Para një fakti të tillë sigurisht që ndjehem i emocionuar pasi kjo do të jetë një përballje e parë në ringun amerikan, por me stërvitjen intensive që jam duke zhvilluar them se nuk do të zhgënjej askënd.
Kjo përballje në SHBA do të jetë e para dhe e fundit, apo keni plane të tjera në kontinentin amerikan? Qato: Për momentin nuk mundem që të them e fundit pasi unë besoj në forcat si dhe në stërvitjen e përkushtuar që po bëj e nëse çdo gjë mbyllet me sukses pse të mos kthehem sërish.
Kundërshtari juaj është një boksier me përvojë në ringun amerikan, a keni ndonjë informacion për të dhe a keni arritur që ta studioni sadopak mënyrën e tij të boksimit? Qato: Kjo është e vërtetë, Estrada është një boksier me përvojë në ringun amerikan. Për momentin trajnerët e mi në koordinim me kohën time jemi duke u marrë me studimin në imtësi të teknikes së tij nga regjistrimet që na janë vënë në dispozicion. Në shumicën e rasteve ai është boksier që preferon luftimin e hapur ose në distancë dhe me sa kemi konstatuar ai vihet në vështirësi nëse kundërshtari kundërvihet në luftim të afërt ose të mbyllur, gjë e cila i përshtatet shumë mirë përgatitjes dhe përvojes sime. E kemi pasur të vështirë për të siguruar video të tijat, gjë e cila nga ana e Estradës për të siguruar video të miat ka qenë shumë e lehte pasi unë i kam të publikuara në internet pa rezervim.
Si po shkojnë përgatitjet për këtë duel. Me cilin trajner po stërviteni, me kë po bëni sparing, etj. ? Qato: Përgatitjet për këtë duel janë marrë mëse seriozisht, edhe pse kam afërsisht shtatë muaj pa boksuar unë kam qenë gjatë të gjithë kohës në kontakt me ringun dhe seancat stërvitore. Për momentin jam futur në rrjedhën e stërvitjes intensive, e kësaj rradhe ka ndryshim në përgatitjen time pasi nuk po shkoj në kampin stërvitor në Francë siç kam shkuar për të katër ndeshjet e fundit por po përgatitem në Londër nën bashkëpunimin e dy trajnerëve të mi që kam pasur që në hapat e para në boksin profesionist si dhe me një trajner të ri i cili i është bashkuar stafit tim që prej tre javesh. Ai është Spenser Fearon i cili është edhe këshilltari teknik i Denny Williams. Këtu ia vlen të falenderoj sponsorin tim 'Yldon' që më bëri të mundur që stafit tim t’i shtohet edhe një keshilltar teknik që ka goxha përvojë. Një prej partnerëve të rregullt të sparingut që ja vlen të përmendet është Anthony Small (WBA International champion) pasi stërvitemi në të njejtën palestër.
|






INTERVISTË EKSKLUZIVE ME BOKSIERIN DURRSAK-KRESHNIK QATO