Shabani: "Në janar luftoj për titullin evropian"
Nga Boxalb   

INTERVISTË EKSKLUZIVE ME BOKSIERIN FARUK SHABANI
Shabani: "Në janar luftoj për titullin evropian"

16 fitore në më pak se dy vjet karrierë si profesionist. Deri ku e ka ndërmend të shkojë Faruk Shabani?
Faruk Shabani:  Si çdo boksier tjetër edhe unë normalisht që dëshiroj të arrij kulmin. Mirëpo dëshira dhe caku i momentit është titulli i kampionit evropian në EBU. 

Ndeshja e fundit ishte kjo e 10 tetorit kundër Seliverstov. Sa do të pushosh para se të rikthehesh përsëri në ring?
Faruk Shabani: Nëse do të vendosja unë për këtë do të kthehesha menjëherë këtë muaj në ring. Mirëpo deri te ndeshja e rradhës nuk do të ketë shumë pauzë. Nëse çdo gjë do të shkojë sipas planeve atëherë në dhjetor do të ngjitem në ring dhe kundërshtari i radhës sipas të gjitha gjasave mund të jetë italiani Giammario Grassellini, një tjetër provë e vërtetë. 


Cili është emri që do ta dëshironit si kundërshtar për duelin e radhës?
Faruk Shabani: Dëshira e ime është që të boksoj me më të mirët. Me të githë ata që më mundësojnë të marrë ndonje titull. Dua vetëm kundërshtarë të dobishëm.


Kur mund të ndodhë ndonjë duel për titull dhe nëse po cilit ia keni vënë syrin?
Faruk Shabani:
Sipas planeve që kemi bërë së bashku me kampin dhe Sauerland kjo mund të ndodhë në një kohë të shkurtër dhe nëse çdo gjë shkon sipas planeve kjo ndeshje do të ndodhë në fund të janarit të vitit të ardhshëm dhe do të jetë për titullin evropian EBU kundër kampionit aktual, polakut Rafal Jackiewicz.


Çka mendoni për boksierët që mbajnë titujt e kampionit botëror aktualisht në kategorinë tënde?
Faruk Shabani: Për mua një boksier që mban një titulll së pari e ka merituar dhe ka derdhur djersë, së dyti jo vetëm në kategorinë time po në çdo kategori tjetër çdo boksier e ka respektin e plotë nga ana ime, sepse për të ardhur deri aty duhet shumë punë, shumë mençuri dhe organizim i mirë. Pra vetëm respekte.


A jeni i kënaqur me bashkëpunimin e tanishëm me "Sauerland Event"?
Faruk Shabani: Unë jam shumë i kënaqur me Sauerland dhe jam shumë falenderues për respektin, ndihmën dhe sjelljet të cilat i bëjnë ndaj meje sepse dyert e Sauerland nuk hapen për çdo boksier, pra ata pranojnë vetëm boksierët më të mirë dhe që presin diçka prej tyre. E këtë e kam merituar me punë, djersë dhe sinqeritet. Tani për tani më mungon vetëm hapi i fundit, e shpresoj që në një periudhë të shkurtë të shpërblej jo vetëm vetveten po edhe klubin tim Sauerland.


Çka mendoni se ka ndikuar më shumë në rezultatet e juaja deri më tani, talenti apo puna!
Faruk Shabani:
Ndihma më e madhe për mua ishte boksi amator ku kam boksuar rreth 10 vite me shumë ndeshje spektakolare si dhe me fitore të njëpasnjëshme si dhe duke pasur kundërshtarë shumë boksierë të nivelit të lartë. Të gjitha këto vite ishin të mirëseardhura si dhe një ndihmë për të treguar talentin pa të cilin nuk do të isha në këtë pozitë. Natyrisht që edhe puna është me shumë rëndësi, mirëpo kjo varet edhe nga vetë boksieri se a e ka vullnetin e plotë për të punuar dhe ushtruar me seriozitet dhe disciplinë të plotë.


Cili është idhulli yt përsa i përket boksit?
Faruk Shabani: Unë kam pasur idhull Majk Tajsonin pa skenat e këqija, mirëpo kohët e fundit kam edhe një tjetër idhull e ai është Floyd Mayweather


Në duelin tënd të "ëndrrave" me cilin boksier do të doje të boksoje?
Faruk Shabani: Ka shumë boksierë që do të doja të boksoja, mirëpo ëndërra ime është të kem përballë më të mirët. Në plan të parë për mua është me rëndësi ndeshja për titullin evropian EBU kundër Rafal Jackiewicz. Kjo ndeshje do të ishte hapi më i madh për mua dhe vetëm me një sukses në këtë ndeshje mund të ëndërroj më shumë.

A keni për të thënë diçka për fund?
Faruk Shabani: Ju falenderoj shumë për interesin dhe biseden me boxalb.com, si dhe falenderojë të gjitha mediat për mbështetjen e tyre të madhe. Si dëshirë e çdo boksieri edhe e imja është që në çdo ndeshje të kem përkrahje me prezencën e  sa më shumë tifozëve shqiptarë, sepse përkrahja e tifozëve është ndihma më e madhe që mund të ketë një boksier.