Agron Xhila: "Profesionist vetëm pas Olimpiadës 2012"
Nga Boxalb   

Agron Xhila është padyshim një nga boksierët më të mirë në ringun amator të Zvicrës dhe një ndër shqiptarët prej të cilëve pritet shumë në të ardhmen. I lindur më 3 maj të vitit 1988 në Strugë të Maqedonisë, Xhila ka filluar boksin amator që në moshën 12-vjeçare dhe deri më tani ka arritur suksese të shumta.
Përveç fitimit disa herë të titullit të kampionit të Zvicrës, ai është shpallur kampion i Gjermanisë në vitin 2006. Është renditur i treti në evropianin e vitit 2006, ndërsa ka marrë pjesë edhe në botëror, por pa arritur që të sigurojë medalje. Trofetë dhe medaljet në turne të ndryshëm ndërkombëtar janë të shumta.

Në një intervistë ekskluzive për “boxalb.com”, Xhila tregon për ambiciet dhe planet që ka për të ardhmen.

Për çfarë arsye nuk keni marrë pjesë në turneun kualifikues për Lojërat Olipmike "Pekin 2008"?

Pavarësisht sukseseve të shumta në skenën evropiane në kategorinë e juniorëve për mua ishte e qartë se duhet të natyralizohem në kategorinë e seniorëve para se të synoj suksese më të mëdha. Për këtë arsye bashkë me menaxherin tim Oliver Dütschler për gati dy vite jemi përqendruar që të fokusohemi për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike të vitit 2012 që do të zhvillohen në Londër.

Unë i kam përcjell me shumë interes turnetë kualifikues në Itali dhe Greqi dhe më ka gëzuar shumë kualifikimi i Naim Tërbunajt të cilin e kam takuar në "HSK Box Cup 2006"në Danimarkë.

Dua të ju informoj se para gjashtë javësh kam marrë pjesë në turneun AIBA-s "Gee Bee" në Finlandë, një ndër turnetë më të fortë në botë për boksin amator. Në kategorinë gjysmë të rëndë ishin tetë pjesëmarrës, shtatë prej të cilëve kishin arritur në çerekfinale të botërorit të fundit të zhvilluar në Çikago. Ishte një ndjenjë e papërsëritshme vetë pjesëmarrja në një turne të tillë. Që në ndeshjen e parë u desh që të përballem me kampionin e botës në fuqi, Abbos Attoeë nga Uzbekistani. Goditjet e tij ishin jashtëzakonisht të forta, ishte eksploziv dhe preciz, lëvizte shumë mirë dhe bënte presion pa ndalur. Unë dhashë më të mirën time por u mposhta. Besoj që ai do të jetë fituesi i medales së artë edhe në Lojërat Olipmike “Pekin 2008”.

Ju stërviteni ne klubin e boksit Burgdorf bashkë me vëllezërit Seferi. A merrni këshilla nga ata dhe si i pranoni ato? 

Është e vërtetë. Unë stërvitem që nga mosha 12-vjeçare me klubin Burgdorf te Nuri dhe Sefer Seferi. Sigurisht që të dytë rregullisht më këshillojnë. Sidomos përvoja ndërkombëtare e Nuriut është e vlefshme sa vetë ari. Ai vetë ka zhvilluar pak ndeshje si amator po i ndjek me shumë interes ndeshjet e boksit amator. Ai është trajneri im në kënd dhe partneri në sparing. Nëse nuk është i kënaqur me mua ai ma thotë drejt e në fytyrë. Kjo gjë më pëlqen pasi kështu mund të vazhdoj të përmirësohem. Unë mundohem që këshillat e tij ti zbatoj. Posaqërisht në ndeshjet e fundit falë tij kam arritur që të përmirësoj mbrojtjen time. Gjithsesi ne nuk kemi vetëm një raport trajner-nxënës po shumë më tepër jemi shokë. Jam shumë i gëzuar që mund të llogaris në të.

Cili është qëllimi që kërkon ta arrish në boksin amator?

Qëllimi im është që mundësisht të fitoj çdo duel. Unë i bëj gjërat hap pas hapi. Pas tre javësh do të boksoj në Kampionatin Evropian në Cetnieëo të Polonisë. Dua që të bëj një paraqitje të mirë dhe të vazhdoj sa më larg në këtë turne. Në fund të verës do të zhvilloj disa ndeshje prestigji jashtë vendit. Është një ndjenjë e mirë kur e di se kam mbështjetjen e shokëve si ajo e menaxherit Oliver Dütschler, Nuri Seferit e Sefer Seferit. Me këtë rast duhet të falemnderoj edhe sponsorin tim kryesor "Mentos" dhe furnizuesin "Leone" për angazhimin e madh.

Cilët kanë qenë disa nga kundërshtarët më të fortë deri tani në karrierën tuaj?

Kam boksuar kundër shumë boksierëve të fortë por më i forti ndër ta është padyshim kampioni i botës Abbos Attoeë nga Uzbekistani. Ai ka mposhtur për befasi të të gjithëve në finale të botërorit favoritin rus Artur Betterbyev. Ky i fundit është një shok i mirë me Ruslan Chagaev. Por edhe duelet e mia kundër boksierëve më të mirë evropianë si Ananikyan Tsolak nga Armenia, Gianluca Galli nga Italia apo Melisah Sarica nga Turqia i konsideroj si disa prej dueleve më të vështira.
 

A keni ndonjë idhull nga shqiptarët e ringut dhe çfarë mund të thoni për boksin shqiptar?

Kam respekt të madh për Luan Krasniqin, Nuri Seferin, Naim Tërbunaj, Nasi Hani dhe Faruk Shabani. Këta kanë bërë karrierë përballë kundërshtarëve të fortë. Paraqitja e tyre meriton respekt. Ndërkohë boksi shqiptar sipas meje nuk është akoma aty ku duhet të jetë.

A mund ti thoni lexuesve shqiptarë për disa nga pikat e forta dhe të dobëta tuajat në ring?

Trajnerët e mi më thonë se jam një boksier me teknikë të mirë por që më duhet të përmirësoj akoma fuqinë goditëse. Kam bërë një përvojë të gjatë ndërkombëtare dhe tani e di sesi duhet të zhvilloj një ndeshje në mënyrë optimale. Por më e rëndësishmja është që edhe pas shtatë viteve si boksier amator akoma kënaqem me këtë sport.
 

Kur planifikoni që të përfundoni me boksin amator dhe të kaloni në profesionizëm?

Një kalim në boksin profesionist do të ndodhë vetëm pas Lojërave Olimpike të vitit 2012. Menaxheri im Oliver Dütschler kujdeset edhe për një boksier tjetër, hungarezin Gabor Vetö. Për ne të dy ai ka zhvilluar disa kontakte me një promoter të fuqishëm amerikan në mënyrë që ne pas katër vitesh të kalojmë në profesionizëm. Me promoterin, emrin e të cilit nuk mund ta them akoma janë marrë vesh që edhe tri apo katër vite të tjera të krijojmë përvojë në ringun amator, ndërkohë që ai do të jetë i informuar për të gjitha duelet tona amatore.

Cilat janë qëllimet, dëshirat dhe shpresat për vitin 2008 në aspektin sportiv dhe personal?

Qëllimet e mia në aspektin sportiv janë fitimi i një medaljeje në Kampionatin Evropian, fitimin e titullit zviceran si dhe të fitoj në të gjitha duelet e tjera që do të zhvilloj.
Dëshira e ime është që në firmën e madhe zvicerane ku po arsimohem në drejtimin e Logjistikës, ti plotësojë gjitha ato që priten nga unë. Me një shef si Heinz Kaderli kam mbështetjen dhe ndihmën e plotë për një përfundim të suksesshëm.
Shpresoj që mos të pësoj ndonjë lëndim të madh dhe të jem shëndosh. Kjo është më e rëndësishmja.

A ka edhe diçka që do të donit të ndanit me lexuesit shqiptarë?

Duhet tu falemnderohem të gjithë miqve shqiptarë për mbështetjen. Ata më japin forcë dhe motiv për të punuar dhe për të arritur objektivat e mia.Lexuesit e "boxalb.com" dua t’i informoj se në fund të vitit do të marr pjesë në turneun “Adem Jashari”. Pjesëmarrja në këtë turne me renome do të më bënte krenar.
Më lejoni të falënderoj për letrat e shumta si dhe për komentimet në librin e miqve në faqen time zyrtare www.dzilaman.com. Shpresoj që edhe më tutje do të kem përkrahjen e juaj të plotë.