Gjetan Keta: "Kampion në boks e K-1"
Nga Boxalb   

INTERVISTË EKSKLUZIVE ME SHQIPTARIN E RINGUT-GJETAN KETA 
Gjetan Keta: "Kampion në boks e K-1"
Të gjithë e kishim menduar se Gjetan Keta i ka dhënë fund karrierës së tij si Tai dhe kikboksier kur u paraqit në ringun profesionist në dhjetor të vitit të kaluar. Dhe raste të tilla janë të zakonshme, por Gjetan Keta vazhdon të na befasojë.
Dibrani 25-vjeçar në intervistën ekskluzive për “boxalb.com” ka zbuluar se synon që të arrijë majat në të dy ringjet.
Atë të Tai dhe Kikboksit dhe boksit profesionist.

Pas fillimeve t suksesshme të një karriere si kikboksier kaluat në boks, përse ky ndryshim?

Gjetan Keta: Unë bëj akoma Kikboks dhe Taiboks dhe pikërisht tani në fund të qershorit kam marrë një ofertë nga Ferderata Hollandeze e K-1 që të bëj një ndeshje në Afrikë dhe më pas në Kampionatin Botëror në Kore ku do prezantohem me flamurin shqiptar.
Kam pasur gjithmonë dëshirë të bëhem kampion në boks pasi është sporti më i njohur dhe të ardhurat janë më të larta se në Kikboks dhe Taiboks. Trajneri dhe vëllau im, Ismaili, si dhe shumë të tjerë m,ë kanë thënë që unë jam më i prirë për boks.

Kalimi në ringun e boksit është një vendim definitiv, apo mund të ndërroni përsëri mendje?

Gjetan Keta: Siç thashë më parë unë do të mundohem ti bëj të dyja. Në Kikboks dhe Taiboks vëllau që është dhe traineri im është i zgjedhur nga Fedeerata Botërore e Tai dhe Kikboksit, IFMA dhe WMC, si përfaqësues i Shqipërisë.
Dua ta bëj veten dhe vëllaun krenar pasi këtu më jepet mundësia që të ngrej flamurin shqiptar dhe ky sport është mjaft interesant.

Fillimi në boksin profesionist është për tu patur zili. Kujt ia dedikoni këtë sukses në tri ndeshjet e para?

Gjetan Keta: Siç e thoni dhe juve falë Zotit besoj se kam pasur rezultate të mira. Unë ia dedikoj këtë sukses në radhë të parë Zotit, pastaj vëllait që e kam pasur idhull që i vogël dhe që më krijoi mundësinë të përgaditem në mënyrë profesionale si dhe publikut shqiptar.
Kur bëra ndeshjen në Shqipëri më 28 shtator 2007 për kualifikim për Kampionatin Botëror në Taiboks, respekti dhe përkrahja e publikut shqiptar më kujtohen prej atëherë dhe shpesh kur nuk kam vullnetin e duhur për stërvitje ato kujtime më bëjnë të kem dhe më shumë vullnet.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Gjetan Keta: Të them të drejten nuk e di mirë. Di vetëm çfarë kam dëshirë ngaqë po merrem me të dy sportet dhe jam deri tani shumë i suksesshëm në të dyja. Dua të bëj patjeter ndeshje në Japoni kundra 8-shes më të mirë në botë në Tai dhe Kikboks për flamurin shqiptar dhe pastaj dua ti kthehem boksit pasi është më i lehtë dhe paguhet më mirë.

A keni planifikuar se kur do të jetë dueli i radhës?

Gjetan Keta: Nëse do ecë mirë përgaditja, siç e thashë dhe më sipër jam i ftuar në fund të qershorit në Afrikë për Tai dhe Kikboks ndërsa ndeshja tjetër është më 5 korrik në Mynih në Gjermani ku është turneu kualifikues prej 8 Tai dhe Kikboksierëve më të mirë në Gjermani në peshën 72 kilogramë. Fituesit i jepet e drejta të bëjë ndeshje në ditëlindjen e Princit të Tajlandës. Atje takohen 8 më të mirët në botë. Shpresoj të zë vendin e parë pasi dua të ngrej flamurin tonë.

Tre fitore, tri herë nokaut në rundin e parë. Boxalb ju ka pagëzuar me nofkën Mr Knockout!

Gjetan Keta: Faleminderit për komplimentin. Disa më thonë Tajsoni i bardhë, disa më thonë Skënderbeu i ringut. Kjo pasi unë jam gjithmonë më i shkurtër se kundërshtarët e mi dhe duhet të tregohem shumë sulmues e luftarak. Është sigurisht kënaqësi për mua kur dëgjoj këto epitete por une dua të ngelem Gjetani.

Brezi i kampionit botëror është ëndrra e çdo boksieri. E njejta gjë vlen edhe për Gjetanin apo jo?

Gjetan Keta: Sigurisht, por për momentin jo vetëm në boks por dhe në Tai dhe Kikboks me shpresë te Zoti.

Cilin boksier pëlqeni më shumë?

Gjetan Keta: Më ka pëlqyer Mike Tyson, sepse ka qenë në kohën e tij shumë luftarak dhe unë jam i shkurtër dhe kompakt në trup si ai. Më duhej të mësoj teknikën e tij por nuk më ka pëlqyer si njeri asnjehere. Si njeri më ka pelqyer Muhamed Ali.

Në tre duelet që keni zhvilluar keni boksuer në të njejtën mbrëmje me dy shqiptarët e tjerë, Haxhi Krasniqin dhe të riun Fatjon Murati. Si janë marrëdhëniet mes jush?

Gjetan Keta: Të mira. Gëzohem shumë kur ata fitojnë dhe besoj që dhe ata gëzohen kur fitoj unë. Janë djem të sjellshëm.

Jeni paraqitur para publikut shqiptar si kikboksier vitin e kaluar. Kur do të mund të shohim boksierin Gjetan Keta në Shqipëri?

Gjetan Keta: Kësaj pyetje nuk mund ti përgjigjem siç duhet pasi më mirë e di vëllai Ismaili. Por me sa di unë mundet që në fund të vitit 2008 të organizohet nga  Ferderata WMC e Thai dhe Kikboksit përsëri një turne në Tiranë. Megjithëse kisha dëshirë të bëja këtë radhë para publikut shqiptar një ndeshje në boks. Pak rëndësi ka kundër kujt nëse boksoj para atij publiku sportdashës.