| Qato: Tani synoj një brez "më të rëndë" | |
|
|
Boksieri shqiptar Kreshnik Qato ka zbuluar aspiratën e tij që në një të ardhme jo të largët të kërkojë të sfidojë edhe ndonjë nga katër titujt më të rëdnësishëm të boksit profesionist (WBC, WBA, IBF & WBO). Çfarë ka bërë Kreshniku që prej fitimit të titullit botëror në versionin WBF në prill të këtij viti? Kreshnik Qato: Fitorja e titullit botëror në versionin WBF ishte një arritje shumë e rëndësishme në karrierën time pasi më dha një ngritje të menjëhershme prej rreth 40 vendesh në renditjen botërore në peshën e mesme. Ajo çka ishte edhe më e rëndësishme pas fitores së këtij titulli ishte edhe imazhi i Shqipërisë në arenën botërore të boksit, si për shembull nje ndër gjyqtarët e ndeshjes që mbeti i mahnitur nga imazhi i Shqipërisë ishte i mirënjohuri gjermani Artur Ellensohn, zevendes-presidenti i Bund Deutscher Berufsboxer, si dhe përfaqësuesit e tjerë që vinin nga vende të ndryshme të botës dhe që shprehën dëshirën se do të ishin më se të privilegjuar nëse do të riktheheshin në Shqipëri për aktivitete të këtij rangu. Gjithsesi për t'ju rikthyer pyejtjes suaj, pas fitores së titullit gjëja e parë që kam bërë sapo u zbardh dita e re ka qenë vajtja ime në Gërdec në vendin ku ndodhi tragjedia e madhe e shpërthimit të armëve. Shkova atje për të dhënë ndihmesën time financiare për familjet që preku tragjedia. Më lejoni që të përfitoj nga rasti dhe ti bëj thirrje të gjithë atyre që kanë mundësi për të dhënë diçka për ata fatkeqë sepse edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë ata përsëri janë në nevojë. Pas disa ditëve qëndrimi në Shqipëri unë iu riktheva jetës sime normale këtu në Londër e cila fillon me rënien e ziles në orën 6 të mëngjesit nga traineri im i dytë për të bërë ciklin e parë të stërvitjes. Një ndër gjërat më me vlerë që kam bërë pas fitimit të titullit dhe mbërritjes në Londër kanë qenë takimet mes miqsh dhe tifozësh të nderuar dhe që e respektojnë flamurin shqiptar me gjithë shpirt. Këto janë ato stimuj që mua me japin akoma më shumë zemër dhe pasion që unë të kem flamurin kuq e zi mbi supe. A ke filluar që të bësh plane për duelin e radhës? Kreshnik Qato: Pas përfundimit të një ndeshje boksiereve gjithmonë i duhet që të mendojnë "po tani çfarë do të synoj", dhe unë them që për momentin në muajin në vazhdim do të bëj një ndeshje "warm-up" ose e thenë shqip "për tu nxehur" këtu në Londër me 8 runde me një boksier anglez. Ky është një ndër planet e mia afatshkurtër për të mbajtur organizmin në kontakt me ringun. Brenda një periudhe të caktuar do të duhej që të mbronit titullin botëror në versionin WBF. A do të bëni këtë gjë apo do të kërkoni ndonjë brez akoma më të "rëndë"? Kreshnik Qato: Mbrojtja e titullit WBF është në planet e mia atje nga fundi i shtatorit ose fillimi i tetorit të këtij viti, dhe ju jap fjalën që do të jetë një ndër surprizat më të bukura që tifozët e mi do të marin nga unë, pasi jam në marrëveshje e sipër për realizimin e këtij aktiviteti në Kosovë. Shpresoj që kjo të realizohet pasi shumë nga tifozët e mi që më ndjekin këtu në Londër janë shqiptarë të Kosovës dhe gjithmonë më kanë shprehur këtë dëshirë. Pas mbrojtjes se titullit sigurisht që në ambicien e një boksieri është që të arrijë sa më lart, kështu që edhe unë sigurisht që do të synoj për një brez më "të rëndë". A keni vendosur nëse paraqitjen e radhës do ta keni në Shqipëri apo Angli? Kreshnik Qato: Siç e thashë edhe më parë paraqitja e rradhës do të jetë në Angli dhe më pas duke shpresuar për të prezantuar diçka të bukur dhe madhështore në Kosovë. Deri tani keni boksuar në tre pesha të ndryshme, ndërkohë keni fituar tituj në peshën super të mesme e së fundmi edhe të mesme. A do të vazhdoni të mbeteni në këtë kategori? Kreshnik Qato: Gjatë karrierës si profesionist kam pasur tre herë ndryshime në peshë sidomos gjatë fillimit të karrieres sime. Kjo në atë kohë ka qenë si pasojë e jo-mirë menaxhimit, pasi bota e sportit të boksit është shumë e egër dhe të duhet një mbështetje e fortë dhe e mirë-menaxhuar që të arrish suksesin dhe të mbijetosh. Megjithatë tashmë çdo gjë ka marrë rrjedhën e duhur dhe unë i jam shumë mirënjohës të gjithë atyre njerëzve që kanë kontribuar dhe ndihmuar në arritjen e këtij suksesi për mua si dhe për imazhin e boksit profesionist shqiptar. Nga të tre peshat qe kam provuar unë personalisht e ndjej veten më mirë në peshën e mesme pasi më bën të ndjehem më në formë si dhe më i shkathët në lëvizjet gjatë dyluftimit. Për momentin kam vendosur që të vazhdoj në këtë kategori. Falemnderit për intervistën! Kreshnik Qato: Falemnderit dhe juve. E kam parë faqen tuaj të internetit dhe më bëhet qejfi që tashmë kam mundësi të futem në një faqe shqiptare që jep informacione për boksin profesionist shqiptar në mënyrë të drejtëpërdrejt dhe pa bërë dallime ndërmjet boksierëve. Keni nderimet dhe respektet e mia të përzemërta. 24.05.2008 |





INTERVISTË EKSKLUZIVE ME BOKSIERIN DURRSAK-KRESHNIK QATO