Suat Laze:"Dua një titull të rëndësishëm"
Nga Boxalb    E Diele, 11 Maj 2008 01:00   

INTERVISTË EKSKLUZIVE  ME BOKSIERIN DURRSAK

Na thuaj disa fjalë për fillimet e karreirës tende?
Suat Laze:
Në fillim kam filluar të merrem me “full contact” në vitin 2000, dhe pas shumë dueleve në këtë sport që në të vërtetë ka pak kontakt, kam filluar rastësisht boksin që më ka pëlqyer shumë. Duelin tim të parë si amator e kam zhvilluar më 2002 të cilin e kam humbur, ndërsa më pas kam shënuar shtatë fitore radhazi.

Cili është synimi yt në ringun profesionist?
Suat Laze: Sigurisht objektivi im kryesor është që të luftoj së shpeji për një titull të rëndësishëm ndërkombëtar në ringun profesionist.Fatkeqësisht unë nuk kam një sponsor timin prandaj një gjë e tillë në këto raste është më e vështirë se për dikë që e ka një sponsor.
Deri më tani gjithçka që kam arritur e kam bërë vetëm me djersë dhe sakrificë.

Na trego për planet e ardhshme?
Suat Laze: Për fat të keq tani më kanë informuar se boksieri me të cilin është dashur të përballem më 16 maj nuk ka pranuar që të boksojë kundër meje.
Menaxheri i tij i ka sugjeruar se është me rrezik që të boksojë kundër meje.
Kjo do të thotë që nuk do të boksoj dhe jam mjaft i dëshpëruar për këtë. Tani më duhet të pres nga menaxheri im që të më tregojë datën e re kur do të mund të ngjitem në ring. 

A mund të pritet që në të ardhmen të zhvillosh një ndeshje në Shqipëri?
Suat Laze:
Kam kontaktuar me Kreshnik Qaton dhe shpresoj që do të boksoj në ndonjë nga mbrëmjet që ai zhvillon në Shqipëri.

Do të ishte një emocion i veçantë për mua që të boksoj përpara publikut shqiptar, gjë të cilën nuk kam pasur rast ta shijoj akoma.

A mban kontakte me ndonjë nga boksierët shqiptarë në Itali apo Evropë?
Suat Laze:
Siç thashë edhe më parë kam kontakte me Kreshnik Qaton, po përveç tij për fat të keq nuk kam pasur asnjëherë tjetër ndonjë kontakt me boksierë të tjerë shqiptarë.

Shpresoj që në të ardhmen do të njoftohem me njerëz të rinj dhe të filloj të punoj akoma më shumë.

11.05.2008