|
Boxalb vazhdon të prezantojë shqiptarët e ringut profesionist dhe kësaj radhe po ju sjellim intervistën me Shpëtim Shalën. Pejani 22-vjeçar bokson në kategorinë kruizer dhe në ring njihet me nofkën “Albanian Bomber”. Në dy duelet e para si profesionist ka shënuar fitore dhe premton edhe shumë të tjera në vazhdim të karrierës së tij.
Kur keni filluar te merrreni me boks dhe ku? Shpëtim Shala: Me boks kam filluar të merrem që prej majit të vitit 2001. Në atë kohë kam filluar në klubin e boksit “Peja” në Pejë.
Kush është trajneri juaj? Shpëtim Shala: Që prej debutimit tim në boksin profesionist jam stërvitur nga trajenri malazez Sinisha Popoviq, mirëpo tani jam në bisedime me ish-trajnerin me të cilin jam stërvitur si amator, austriakun Jozef Kovarik dhe besoj se së shpejti do të rifillojmë bashkëpunimin.
Çfare rezultate keni pasur si amator? Shpëtim Shala: Ne boksin amator kam arritur të shpallem dy herë kampion i Kosovës për juniorë në vitet 2002 dhe 2003. Jam shpallur kampion i Vjenës në vitet 2005 dhe 2006, ndërsa në 2007-tën jam shpallur ASKO kampion i Austrisë.
Cili është qëllimi që i keni vënë vetes për të arritur në ringun profesionist? Shpëtim Shala: Synimi im në boksin profesionist është i qartë. Dua që të arrij deri te ndonjë nga trofetë e çmueshëm të boksit profesionist, sepse në rast të kundërt nuk të kisha filluar fare karrieren si profesionist. Po të doja të boksoja për hobi do të vazhdoja me boksin amator. Të shofim çka do të sjellë e ardhmja. Boksi është sporti që e dua dhe punoj me një vullnet të madh në mënyrë që t’i arrijë qëllimet e mia.
Cili është mendimi juaj për boksin profesionist shqiptar? Shpëtim Shala: Dita ditës po shtohet numri i boksierëve profesionist shqiptar dhe kjo është një gjë që më gëzon shumë. Kemi edhe të tillë boksierë që pretendojnë të bëhen kampionë botë. Ne shqiptarët e kemi pasur traditë boksin dhe shpresoj që së shpejti edhe bota do të na njohë përmes boksit profesionist. Une mendoj se çdo shqiptar mund të mburret me ne profesionistët që jemi dhe mendoj se secili prej nesh e prezanton me dinjitet vendin tonë.
Kur e keni zhvilluar duelin e parë në ringun profesionist dhe cili ka qenë kundërshtari? Shpëtim Shala: Duelin e parë në ringun profesionist e kam zhvilluar më 27 janar të këtij viti kundër hungarezit Giorgy Mihalik i cili më parë ka qenë kampion botëror në kikboks. Këtë duel e kam fituar bindshëm me pikë.
Cilat jane planet për këtë vit, dhe a e keni perkrahjen e plote nga klubi ku ju gjindeni,dhe si quhet?
Shpëtim Shala: Kontratë me ndonjë klub nuk kam. Kam një trajner një menaxher dhe e prezantoj vetveten. Planet e mia dhe të menaxherit tim për këtë vit janë që të bëj sa më shumë ndeshje që të jetë e mundur. Pra për mua nuk do të ketë pushim për këtë vit. Do të mundohem që prej meçit në meç të shtoj edhe cilësinë. Falë zotit e kam një menaxher të vyeshëm dhe kam përkrahjen e tij në çdo moment. Është fat i madh për mua ta kem një person të tillë afër meje, ky është shqiptari Shpëtim Redo i cili vjen nga Dibra e Shqipërisë. Përkrahje të madhe kam edhe nga vëllau im Shkëlqimi dhe mua nuk më mbetet gjë tjetër vetëm të punoj dhe të tregoj suksese në ring.
Jetoni dhe boksoni ne nje vend të huaj mirëpo prezentoni ngjyrat e atdheut. Si është sjellja e vendasve gjatë këtyre prezantimeve dhe sa ndikojnë gjëra të tilla në karrierën tuaj? Shpëtim Shala: Unë kam shoqëri të mirë në Vjenë ku jetoj dhe me punën dhe disiplinën time kam fituar një simpati nga publiku. Natyrisht se nuk është e mirëseardhur për publikun austriak kur bashkatdhetaret e mi brohorisin për mua dhe valon flamuri kombetar. Edhe kur unë e marr flamurin kombëtar në ring si shenjë falenderimi për të gjithë shqiptarët të cilët më përkrahin. Sidomos në ndeshjen e parë kam pasur një përkrahje të jashtëzakonshme pasi pësova një lëndim dhe ishte në pikëpyetje vazhdimi i ndeshjes. Të nesërmen kishte të tillë që më thanë se këtu nuk është Shqipëri por Austri, mirëpo sa ndikojnë këto gjëra në karrierën time nuk më intereson fare sepse une nuk mund ta ndryshoj veten se çka jam. Gjithmonë do të mburrem me atë që jam shqiptar.
05.05.2008 |