Intervistë ekzkluzive me Luigj Gjokaj: Objektivi im kampion bote
Nga Boxalb    E Shtune, 26 Prill 2008 01:00   

 Me dy fitore të shënuara në dy muajt e fundit, madje që të dyja të shënuara me nokaut në rundin e parë, Luigj Gjokaj, 22-vjeçari shqiptar që bokson në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kategorinë velter të ringut profesionist është padyshim zbulimi më i madh i këtij viti përsa i përket boksierëve shqiptarë.
Boxalb ju sjell ekzkluzivisht intervistën e parë në mediat shqipe me djaloshin e lindur dhe të rritur në Michigan të Shteteve të Bashkuara, por me rrënjë nga Trieshi i Malësisë.

Boxalb.com: Kur e keni filluar boksin dhe na tregoni diçka më shumë për karrierën tuaj si amator?
Gjokaj:
Karrierën si boksier e kam filluar dy vite më parë. Ai amator kam pasur një bilanc prej 37 fitoresh dhe 6 humbjesh. 16 nga fitore i kam realizuar me nokaut.

Boxalb.com: Keni debutuar me humbje në profesionizëm. Mungesa e përvojës apo çfarë ishte arsyeja e kësaj humbjeje?
Gjokaj: Unë isha duke e fituar këtë ndeshje në tabelën e rezultateve te të tre gjyqtarët, madje me një diferencë të madhe. Mora një goditje prapa kokës të cilën nuk e pashë se po vinte. U ngrita në këmbë kur referi numëroi deri në gjashtë dhe i thashë atij se isha në gjendje të vazhdoj, por ai e ndërpreu ndeshjen.

Boxalb.com: Na thoni diçka për planet e tua për të ardhmen?
Gjokaj:
Plani im është që të vazhdoj të stërviem shumë dhe një ditë të bëhem kampion bote. Tani së fundmi kam fituar ndeshjen e dytë me nokaut në rundin e parë pas vetëm 48 sekondave. Shpresoj që të vazhdoj të ec përpara në karrierën time.

Boxalb.com: A ke kontakte me boksierë të tjerë shqiptarë dhe çfarë mendimi ke për ta?
Gjokaj: Njëherë kam folur me Kreshnik Qaton. Ai është një person shumë i mirë dhe një boksier i shkëlqyeshëm. Fitorja e tij për titullin evropian më gëzoi shumë. Me Elvir Muriqin nuk jam takuar akoma, por i dëshiroj shumë sukses dhe një fitore kundër Omar Sheika.

Boxalb.com: Cila është ambicia jotë në boksin profesionist?
Gjokaj: Të bëhem kampion bote dhe të mbetem në kujtesën e njerëzve si një luftëtar shqiptar i ringut.

Boxalb.com: Me cilin boksier të madh të kategorisë tëndë do të dëshiroje të boksoje një ditë?
Gjokaj: Është ende herët për mua që të zgjedh për një gjë të tillë. Unë jam i gatshëm dhe kam shumë vullnet që të përballem me cilindo që më sfidon. Në ring nuk i frikësohem askujt.

Boxalb.com: Gjithmonë ngjiteni në ring me fanellë me flamurin kombëtar. Pasi jeni i lindur në SHBA, sa e ndjeni veten shqiptar?

Gjokaj: Edhe pse jam i lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, unë nuk kam ditur të flas anglish deri sa kam filluar shkollën. Tani jam duke mësuar të shkruaj dhe të lexoj në shqip. Jam shumë krenar për kulturën time, për njerëzit e mi, dhe për historinë tonë të lavdishme. Unë dhe familja ime kemi qenë gjithnjë pjesë shumë aktive e komunitetit shqiptar në Amerikë. Që prej ndihmës që kemi dhënë në organizimin e demonstratave për Kosovën në Detroit që nga vitet e 80-ta. Kemi qenë gjithmonë të përshirë në Kishën Shqiptare dhe në skuadra futbolli shqiptare. Unë dhe familja ime gjithmone kemi qenë pjesë aktive e komunitetit shqiptar si këtu në Amerikë ashtu edhe në vendlindje. Unë krenohem që jam shqiptaro-amerikan.

26.04.2008