| Visoka për titull në Sllovaki | |
|
|
Përballja prej 12 rundash do të zhvillohet në Sala të Sllovakisë me 28 gusht. “Është një duel shumë i rëndësishëm për mua. Titulli për të cilin do të boksoj nuk është i një version të madh, por niveli i kundërshtarit me të cilin përballem është shumë i lartë. Është një prej boksierëve më të mirë evropianë në kategorinë gjysmë të rëndë dhe padyshim boksieri më i mirë sllovak i të gjitha kohërave”, ka thënë Visoka ekskluzivisht për “boxalb.com”. “Sigurisht që synimi im është që të fitoj këtë përballje. Asgjë tjetër nuk vjen në konsiderim. Fitorja do të më ngrisë në renditjet evropiane dhe botërore të kategorisë gjysmë të rëndë, prandaj nuk dua në asnjë mënyrë që ta lëshoj këtë rast. Kam shikuar disa xhirime të dueleve të tij dhe kam pak a shumë ide se kë e kam përballë”, ka shtuar ai. Xhavit Visoka ka një bilanc prej 6 fitoresh dhe një humbje në ringun profesionist, por ka një eksperiencë të jashtëzakonshme prej më shumë se 230 dueleve në boksin amator. Ndërkohë kundërshtari i tij, sllovaku me gjak hungarez Tamas Kovacs, përveç se ka një bilanc prej 16 fitoresh (11 prej të cilave me KO) aktualisht është i 30-ti në renditjen botërore të kategorisë gjysmë të rëndë, ndërsa në renditjen e përgjithshme evropiane është i 12-ti. Gjatë karrierës së tij si profesionist ai është stolisur me disa tituj ndërkombëtar. Në maj të vitit 2009 ai kishte fituar titullin WBF Intercontinental për peshën gjysmë të rëndë. Më pas në dhjetor të 2009-tës kishte fituar titullin botëror për peshën gjysmë të rëndë në versionin WBF. Së fundmi në prill të këtij viti ai kishte marrë në pronësi edhe brezat e kampionit të Sllovakisë dhe Hungarisë në boksin profesionist. |





