| Nuri Seferi sfidon kampionët | |
|
|
I pari në listën e dëshirave të “Tajsonit Shqiptar” është kampioni aktual i botës në kategorinë “cruiser”, gjermani me prejardhje nga Sanxhaku i Malit të Zi, Marco Huck. Gjithsesi për këtë jo gjithçka është në duart e Seferit, pasi nuk dihet akoma nëse Huck dhe kampi i tij do të pranojnë sfidën e shqiptarit. Në një intervistë për ATSH-në, Seferi ka thënë se shtatori dhe tetori do të jenë muajt ku sërish do të jetë në ring. Si kampion i kontinentit të vjetër, Nuri Seferi sipas rregullave të boksit, duhet ta mbrojë titullin brenda 6 muajve. “Kjo është e saktë, ndaj jam i mendimit se në fundin e shtatorit, ose fillimi i tetorit, është koha kur unë duhet ta mbroj titullin. Sipas të gjitha gjasave, sfidues do të jetë njëri nga 10 boksierët më të mirë evropian. Por, unë do të dëshiroja që ai të jetë Lubosh Suda, kampion i shteteve që bëjnë pjesë në Unionin Evropian”, sqaroi Nuriu. Seferi në prag të sfidave të radhës do të punojë me trajnerin e tij Xhoze Cinga. “Qëllimi im primar është që të sfidoj francezin Rachid El Hadak, i cili është kampion evropian në versionin WBA dhe njëherësh edhe kampion i Francës. Kjo sfidë me siguri do të zhvillohet në ndonjë qendër të boksit në Gjermani. Ndërsa qëllimi im përfundimtar është që të sfidoj Marko Huck, kampionin e botës në peshën time”. Por, Nuri Seferi ka dëshirë që të ndeshet para tifozëve shqiptare në ndonjë qytet të Shqipërisë. “Dëshira ime është që të ndeshem para adhuruesve të boksit shqiptar. Jemi duke punuar në këtë drejtim. Me ardhjen e Ylli Ndroqit në krye të Federatës Shqiptare të Boksit, shpresoj se një ndeshje për titull në Shqipëri mund të realizohet”, deklaroi kampioni aktual i Evropës në versionin WBO. |





