| Shala: “Krenar të boksoj në qytetin tim” | |
|
|
Rikthimi i Shpëtim Shalës është konfirmuar dhe do të jetë pikërisht data 28 mars që do sjellë në palestrën “Karagaç” të Pejës duelin e tij të parë në qytetin e tij të lindjes, dhe njëherit edhe duelin e parë profesionist që zhvillohet në kryeqendrën e Rrafshit të Dukagjinit.
“Është hera e parë që boksoj si profesionist në qytetin tim, dhe njëherit është organizimi i parë i boksit profesionist që mbahet në Pejë. Unë jam shumë krenar që do të jem protagonisti kryesor i këtij organizimi, dhe jamë shumë i lumtur që boksoj në Pejë. Jam shumë i motivuar që të rikthehem në ring meqenëse ka gati një vit që nuk kam boksuar. Kjo kohë nuk ka qenë aspak e lehtë për mua si boksier mirëpo falë zotit tani jam në prag të rikthimit. Jam duke u përgaditur intezivisht me stërvitje dy herë në ditë dhe po i numëroj ditët deri te data e 28 marsit”, ka thënë Shala në një bisedë ekskluzive për “boxalb.com”.
Më tej ai tregon arsyen që e shtyjnë që të zhvillojë një përballje me sllovakun Michal Tomko, një boksier të cilin e kishte mposhtur një herë. “Tomkon e kam mposhtur në Vjenë në prill të vitit 2008. Ishte një përballje prej 4 rundeve ku unë fitova me vendim unanim të gjyqtarëve. Pak kohë pas ndeshjes menaxherit tim i erdhi një ftesë nga kampi i Tomkos për një revansh. Ishte planifikuar që të boksoj në Sllovaki kunder Tomkos mirëpo më është dashur t’a anuloja atë përballje dy javë para ndeshjes për shkaqe shëndetësore. Prej atëherë më ka ngel disi në kokë ajo kërkesë për një revansh, dhe në konsultim me kampin tim vendosëm që këtë ndeshje të boksojmë kundër Tomkos”. Sigurisht që synimi vetëm për Shalën, i cili në ringun profesionist njihet me nofkën “Albanian Bomber”, është fitorja në mënyrë që të vazhdojë të ndërtojë karrierën e tij për të qenë i gatshëm shumë shpejt për sfida edhe më të mëdha. “Për fund i ftoj të gjithë adhuruesit e mi dhe adhuruesit e boksit në përgjithësi që të vijnë në palestrën Karagaçi në Pejë që të më përkrahin. Unë nga ana ime premtoj që do të jap maksimumin që të bëj një spektakël atë natë. Juve si Boxalb ju falemnderoj për punën tuaj që po bëni në afirmimin tonë”, e ka mbyllur fjalën e tij Shala. Dhe ai ka dëshmuar se di të ofrojë ndeshje të mëdha. Përballja e tij e fundit e zhvilluar në Prishtinë më prill të vitit të kaluar përballë gjermanit të favorizuar Lars Bucholz për titullin e kampionit “International” të Austrisë në peshën gjysmë të rëndë ishte një fitore shumë e rëndësishme për karrierën e Shpëtim Shalës.
|







Komentet