| Abraham mbetet i pamposhtur | ||
|
|
Më një të majtë të fuqishme Abraham arriti që ngushtësisht ta fitojë rundin e parë. Befasisht Oral e mori ndeshjen në kontroll në rundin e dytë pasi arriti që të shkatërronte mbrojtjen e kundërshtarit dhe duke ndëshkuar disa herë kampionin sapo hapte gardin. Rundi i dytë ishte plotësisht i tij ashtu si edhe dy minutat e para të rundit të tretë para se të dy boksierët të fillonin një shkëmbim goditjesh. Ndeshja dukej se do të ishte e vështirë për kampionin në fuqi derisa Oral e filloi edhe rundin e katërt me shumë vetëbesim. Por për befasi në minutën e tretë të rundit të katërt Abraham “ekslodon” me një kombinim goditjesh që e bënë turkun gati që të pësojë “nokdaun”. Oral arriti që të mbahet në këmbët që i dridheshin. Kur dukej që dueli po përfundohej, Oral arriti që të gjejë fuqi te vetvetja dhe u rikthye fuqishëm në rundin e pestë dhe madje arriti që të lëshojë disa goditje të rrezikshme. Edhe në rundin e gjashtë vetëbesimi i Oral po vazhdonte të shtohej, por befasisht Abraham lëshon një të djathtë të fuqishme për të dërguar gati afër nokdaunit turkun. Në rundin e shtatë Abraham shpenzoi kohën më të madhe duke u munduar që të shpërthejë mbrojtjen e Oral, por pa ndonjë rezultat. Në të tetin ai filoi që të lëshojë kombinimet e tij të zakonshme duke bërë që goditjet e tij të qëllonin cakun me lehtësi. Rundi i nëntë ishte gjithashtu një tjetër rund i madh për kampionin i cili po dominonte krejtësisht kundërshtarin. Më në fund Oral e pa veten në gjunjë në fillim të rundit të dhjetë pas një serie të goditjeve nga Abraham. Turku me trimëri u ngrit në këmbë, por për t’u rrëzuar përsëri edhe dy herë të tjera para se të ndërpritej dueli kur kishin mbetur edhe 1 minutë e 23 sekonda deri në përfundim të rundit të dhjetë. |

Arthur Abraham (30-0, 24 KO) mbetet kampion i botës në kategorinë e mesme të versionit IBF pasi ka mposhtur me nokaut teknik në rundin e dhjetë turkun me banim në Gjermani, Mahir Oral (25-2-2, 7 KO).