| Kosova në “Grand Prix Ostrava” | |
|
|
Një ekip i përbërë nga tre boksierë kosovarë do të marrë pjesë në turneun prestigjioz “Grand Prix” që zhvillohet në Ostrava të Çekisë duke filluar prej ditës së mërkurë më 14 tetor.
Ky turne konsiderohet një nga më prestigjiozët në kalendarin e turneve të Federatës Evropiane të Boksit Amator (EABA) dhe në edicionin e sivjemë, që është i 38-ti me radhë, do të marrin pjesë boksierë nga 18 vende të botës, ndër të cilat edhe superfuqitë e boksit botëror si: Kuba, Rusia, Skocia, Irlanda, Italia, Gjermania, etj. Liridon Zeqiri (kategoria deri 57 kg), Mahmut Gorda (kategoria deri 60 kg) si dhe Agron Nushi (kategoria deri 75 kg) do të jenë ata që do të mbrojnë ngjyrat e shtetit të Kosovës në këtë turne. Sëbashku me ta pjesë e delegacionit do të jenë edhe kryetari i Federatës së Boksit të Kosovës, Ramadan Selimi, selektori i përfaqësueses së Kosovës, Mehmet Haxhani, si dhe referi Latif Demolli i cili do të ndajë drejtësinë në këtë turne. |





