logo1Ndalohet publikimi apo përdorimi i materialeve autentike të BOXALB pa u përmendur burimi (boxalb.com).
Në rast të kundërt do te denoncohet subjekti i cili shkel të drejtën e autorit.
Jetmir Kuqi largohet pa luftë nga Botërori
Nga Boxalb    E Marte, 08 Shtator 2009 08:07   

Kuqi-v

Pavarësisht se kishte kaluar edhe turin e dytë në Kampionatin Botëror të Boksit Amator në Milano të Italisë, boksieri shkondran Jetmir Kuqi nuk ka shkuar më tej. Të hënën në mbrëmje ishte programuar që ai të boksonte ndaj kundërshtarit nga Kirgistani, Asadullo Boimurodov, por kjo përballje nuk është zhvilluar fare, duke iu dhënë fitorja pa luftë kështu 23-vjeçarit Boimurodov.

 

Kuqi nuk është paraqitur fare në ring dhe gjyqtari i ndeshjes pasi ka konstatuar këtë gjë i ka dhënë fitoren boksierit të vetëm që kishte dalë në ring dhe që ishte i gatshëm për të boksuar.

Nuk është bërë e ditur akoma se cila ka qenë arsyeja e largimit pa luftë nga ana e Jetmir Kuqit, i cili deri të hënën në mbrëmje ishte shqiptari i vetëm i mbetur akoma në garë në këtë botëror. I vetmi arsyetim logjik do duhej të ishte ndonjë dëmtim i pësuar në ndeshjen paraparake, por gjithsesi akoma nuk ka asnjë lajmërim zyrtar për këtë çështje.

Jetmir Kuqi pavarësisht këtij largimi të palavdishëm ka arritur rezultatin më të mirë nga boksierët shqiptarë që u paraqitën në këtë botëror (përfshirë edhe ata që boksuan për përfaqësuese të tjera përveç Shqipërisë) duke arritur që të shënojë fitore në dy duelet e zhvilluara në garat për kategorinë “velter” (69 kg).